Më 27 qershor të vitit 1944, nisi akti i fundit i tragjedisë së shqiptarëve të Çamërisë.

 

Forcat greke garantuan se në rast të dorëzimit të armëve asgjë e keqe nuk do t’u ndodhte shqiptarëve të Çamërisë, gjatë takimit që patën me myftiun, kryetarin e këshillit të bashkisë dhe drejtorin e arsimit të Paramithisë. Me arritjen e këtij pakti verbal, premtimi jo vetëm që nuk u mbajt nga forcat zerviste, por menjëherë pas mbërritjes në qytet, ata masakruan me qindra shqiptarë të Çamërisë. Kështu, masakra mbi popullsinë e pambrojtur vazhdoi për ditë me radhë.

 

Gjatë sulmit mbi popullsinë civile, u dëbuan mbi 30 mijë shqiptarë myslimanë dhe u vranë mbi 3 mijë të tjerë. Ndërkaq, poullsia shqiptare ortodokse e Çamërisë u vendos nën terror për të mohuar identitetin duke vrarë parinë e saj e duke i lënë të varur në mes të qytetit për më shumë se tre ditë. Gjatë shpënguljes e ikjes së tyre drejt Shqipërisë, rreth 2400 njerëz kanë humbur jetën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve .

 

Prej vitit 1994, shteti shqiptar e njeh këtë datë si “dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga forcat shoviniste greke”.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një imazh nga eksodi i popullsisë çame pas vitit 1944, si edhe dokumentin e memorandumit të Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 25 shtator 1946.

 

Çamëria përbën grupin e katërt të krahinave etnografike, që formojnë Toskërinë, e cila sot në territorin grek korrespondon me prefekturën e Thesprotisë. Në kohërat antike thesprotët, së bashku me fiset Molose e Kaone përbënin fiset kryesore të Epirit. Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, nga lumi i Pavllës e deri në gjirin e Prevezës, ku bëjnë pjesë rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Paramithisë, të Pargës e të Prevezës. Çamëria zë një sipërfaqe prej 4 000 km katrorë, me një vijë bregdetare prej 107-108 km. Ajo ka një popullsi prej më shumë se 75. 000 frymësh, e cila është tërësisht shqiptare.