Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti kanë uruar festën e Kurban Bajramit duke sjellë mesazhin e rëndësishëm të paqes dhe mirësisë.

 

 

Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët për Festën e Kurban Bajramit, duke bërë thirrje për unitet e harmoni. Ajo ka thënë se kjo festë është një mundësi e mirë për t’i çmuar lidhjet familjare e për të zgjatur dorën e mirësisë.

 

“Kurban Bajrami është mundësi reflektimi mbi solidaritetin, sakrificën e tolerancën. Është mundësi për t’i çmuar lidhjet tona familjare dhe miqësore, si dhe për të zgjatur dorën e mirësisë ndaj atyre në nevojë”, ka thënë Osmani.

 

 

Ajo ka apeluar që “të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë.

 

“Me shpresën që kjo festë të sjellë te ju, familjet dhe të afërmit tuaj të mira e begati, ju uroj edhe një herë me fat Kurban Bajramin”, vijoi Osmani.

 

Kryeministri Albin Kurti ka uruar më shumë solidaritet e zemërgjerësi mes njerëzve.

 

“Gëzuar e me fat Kurban Bajrami! Sakrifica gjithmonë ka për synim tjetrin, jo veten. Të mirën e përgjithshme, jo të mirat vetanake. Ajo është shërbim dhe përkushtim, që nganjëherë të pakëson, por gjithmonë të lartëson. Përmes saj heq dorë nga të qenit në qendër, për t’u bërë qendra e të tjerëve. Në festën e sakrificës, le të bëhemi edhe më solidarë e më zemërgjerë me të tjerët, për të mirën e përgjithshme, me ata që na rrethojnë. Sot, nesër, çdo ditë të vitit”, ka shkruar ai.