Misioni i OSBE-së në Kosovë ka theksuar se ndërprerja e praktikës së braktisjes së hershme të shkollës kërkon ndërhyrje të shpejtë, në raportin e fundit “Braktisja e shkollës: Përtej numrave të braktisjes së arsimit të obligueshëm në sistemin e Kosovës 2020-2023”.
OSBE-ja ka thënë se “ende ka sfida përkundër përpjekjeve të lavdërueshme të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), veçanërisht në mesin e fëmijëve nga komunitetet e cenueshme si romët, ashkalitë dhe egjiptianët e Kosovës”.
Në raport janë paraqitur të dhëna për mbi 400 raste individuale të braktisjes së shkollës nga e gjithë Kosova ndërmjet viteve 2020 dhe 2023. Aty theksohet se ndërkohë që shumë faktorë kontribuojnë në braktisjen e shkollës, kushtet e dobëta socio-ekonomike dhe diskriminimi i shpeshtë e intensifikojnë fenomenin.
Raporti përfshin gjithashtu një analizë të të dhënave të MASHTI-t të braktisjes së shkollës nga fëmijët e regjistruar në klasat I-IX, e cila tregon se 43 për qind e braktisjes së shkollës është nga nxënës të komunitetit ashkali, 43 për qind janë nga komuniteti egjiptian, 13 për qind nga komuniteti rom dhe 1 për qind nga komuniteti shumicë.
“Pa ndërhyrje aktive dhe sistematike, praktika e braktisjes së hershme të shkollës do të vazhdojë, duke e kufizuar perspektivën e të rinjve për punësim dhe duke kontribuar në një fuqi punëtore të pafavorizuar dhe të pakualifikuar. Përpjekjet urgjente dhe të bashkërenduara janë jetike për të thyer këtë cikël dhe për të promovuar një sistem arsimor më gjithëpërfshirës në Kosovë”, ka thënë Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
OSBE-ja ka nënvizuar nevojën për të punuar së bashku në përpjekjet e konsoliduara për t’i mbajtur fëmijët në shkollë.