Ministrat e Kulturës dhe Turizmit të Italisë janë zotuar se do të gjejnë dhe ndëshkojnë turistin i cili u filmua duke gdhendur emrin e tij dhe emrin e të dashurës së tij në murin e Koloseumit të Romës, që përbën vepër penale e cila ka çuar në gjoba të mëdha në të kaluarën.
Videoja e incidentit u bë virale në mediat sociale ndërsa banorët e Romës kanë filluar të ankohen për turma turistësh që kanë vërshuar qytetin e lashtë në numër rekord këtë sezon.
Ministri i Kulturës, Gennaro Sangiuliano, grafitin “Ivan+Haley 23” të gdhendur në Amfiteatrin Flavian gati 2.000-vjeçar, e quajti “serioz, jo dinjitoz dhe një shenjë e pafytyrësisë së madhe”, duke theksuar se ai shpresonte se fajtorët do të gjenden dhe ndëshkohen.
“Ne nuk mund të lejojmë që ata që vizitojnë vendin tonë të ndjehen të lirë të sillen në këtë mënyrë”, tha ministrja e Turizmit, Daniela Santanche, duke bërë thirrje për respekt për kulturën dhe historinë italiane. Në vitin 2014, një turist rus u gjobit me 20 mijë euro për gdhendjen e një shkronje të madhe ‘K’ në murin e Koloseumit, për të cilën ai u dënua me 4 vjet burgim me kusht.
Një vit më pas, dy turistë amerikanë u gjobitën për shkaktimin e dëmeve të rënda pasi gdhendën emrat e tyre në Koloseum.