Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një reagim  në rrjetet sociale ngre pikëpyetje mbi rëndësinë e nismës së qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

 

Deputetja Tabaku, e cila mban dhe pozicionin e Kryetares së Komisionit për Çështjet e Europiane në Kuvendin e Shqipërisë, sjell në vëmendje një raport të Kombeve të Bashkuara mbi trafikun e lëndëve narkotike

 

“Shqipëria vend kryesor në tranzitin e drogës sipas raportit të UN; rrugë tranziti dhe portë hyrëse që ka ndikuar në zinxhirët e furnizimit, cilësinë dhe ka ulur çmimet, duke ndikuar në rritjen e konsumit”,- shkruan Tabaku.

 

Mbi këtë bazë, Tabaku ngre dhe disa pyetje mbi nismën e qeverisë për legalizimin e Cannabisit mjekësor.

 

“A është koha dhe momenti për të diskutuar legalizimin e kanabis kur qartësisht është dështuar në kontrollin e territorit? A mund të kontrollohet prodhimi kanabis për qëllime mjekësore kur vendi sot përdoret si tranzit për tregjet ndërkombëtare? Çfarë nevoje ka për këtë ligj kur sot Shqipëria ka prioritete të tjera?!”,- përfundon Tabaku reagimin e saj.

 

Qeveria shqiptare miratoi më 17 qershor projektligjin për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.  Projektligji i cili pritet të diskutohet në Kuvend, përcakton kuadrin rregullator për mënyrën se si do iniciohet procesi për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nën-produkteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale. Nisma e qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore vjen pas Këshillimit Kombëtar, ku 61% e qytetarëve që morën pjesë votuan pro idesë së legalizimit të kanabisit mjekësor. Projektligji mban firmën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural  Qëllimi i projektligjit është rregullimi dhe granatimi i procesit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së Kultivimit, prodhimin, përpunimit dhe eksportimit.