Katërfishohet numri i studiuesve të regjistruar në Arkivin e Shtetit. Viti 2019 shënoi pikën e kthesës në drejtim të shfrytëzimit të pasurisë dokumentare.

 

Dikur, pikëtakimi i vetëm me koleksionet arkivore të shtetit shqiptar, mundësohej vetëm përmes vizitave fizike në Sallën e Studimit të DPA-së. Prej 4 vjetësh, qasja në dokumente është e mundshme kudo dhe kurdoherë.

 

Ndërmarrja e arkivimit digjital ka ndikuar pa kthim në të ardhmen e metodave të administrimit të pasurisë arkivore. Kësisoj, digjitalizimi ka rritur produktivitetin institucional, duke mundësuar po ashtu edhe ruajtjen afatgjatë të materialeve dokumentare, për hir të brezave të ardhshëm.

 

Nisma mbarëkombëtare e çeljes së Këndeve Arkivore e shtrirë në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë, i ka dhënë një hov të mëtejshëm kurbës së studiuesve të regjistruar në hapësirat studimore. Arkivat strehojnë të shkuarën, duke shërbyer me pulsin e kohës.