Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i bëri thirrje sot deputetëve që të mos e votojnë projektligjin “Për legalizimin e kanabisit” dhe të mos shndërrohen në bashkëfajtorë në një krim të rëndë kundër të sotmes dhe të ardhmes së vendit.
Në një konferencë për medie, Meta iu referua raportit të fundit të UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit), ndërsa u shpreh se “Shqipëria është mbërthyer në darën e trafikut të drogës dhe situata po njeh vetëm përkeqësim të pandalshëm”.
Meta tha se “Shqipëria është një nga vendet kryesore tranzit të trafikimit të heroinës dhe kokainës”.
“Ndërkohë që përfshirja e grupeve kriminale shqiptare në trafikun e kokainës në Evropë, nga viti 2012 vlerësohet se ka rritur ndjeshëm konkurrencën, ka ulur çmimet dhe përmirësuar cilësinë, duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e konsumit në tregun evropian, tendencë që u bë e dukshme sidomos pas vitit 2015. Lidhjet e trafikantëve shqiptarë të drogës konstatohen se janë tashmë të drejtpërdrejta me Kolumbinë, Bolivinë dhe vende të tjera prodhuese”, shtoi ai.
Sipas tij, “situata e lënë qëllimisht jashtë kontrollit nga qeveria ka detyruar edhe DEA-n amerikane t’u kërkojë bashkëpunim qytetarëve dhe të hapë linja të veçanta komunikimi me ta”.
“Njëkohësisht, Shqipëria konsiderohet si “një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Pikërisht, në një situatë të tillë kaq të rëndë dhe të përkeqësuar, Rama po legalizon drogën, ndërkohë që Shqipëria prej vitesh konsiderohet ndërkombëtarisht si Kolumbi e Evropës. Alibia e qeverisë, se legalizimi bëhet për gjoja qëllime shëndetësore është thjesht dhe vetëm një alibi për të justifikuar krimin shtetëror dhe pengmarrjen e qeverisë”, the Meta.
Ai theksoi se vlera dhe pesha e kanabisit në trajtimin mjekësor të patologjive në nivel botëror është praktikisht zero, por edhe pesha ekonomike e tij është thuajse zero dhe pa asnjë vlerë për ekonominë e vendit.