Partia Demokratike e degës së Vlorës bëri një kallëzim në Prokurorinë e rrethit lidhur me përmbytjet në qytetin bregdetar prej shirave të 4 tetorit.

Në një prononcim për mediet, kryetari i Partisë Demokratike dega Vlorë, Atird Hoxha u shpreh se kanë depozituar një kallëzim në prokurori me një sërë faktesh për përmbytjet nga reshjet e 4 tetorit.

“Ky hap vjen nga PD e Vlorës për drejtësi dhe përgjegjësi sa i takon dëmeve. Kërkojmë që prokuroria të veprojë më shpejtësi, pasi pavarësisht se ditët kalojnë nuk kemi parë prokuror në terren”, u shpreh ai.

Hoxha tha se prokuroria duhet të kryejë marrjen e provave në terren, ndërsa institucionet shtetërore të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të minimizuar dëmet në pronat e qytetarëve dhe të marrë përgjegjësi për dëmet.

“Këto përmbytje nuk kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të pretenduara nga kryetari i bashkisë. Ka ardhur si neglizhencë e mos veprimit të cilin institucione duhet të kishin ndërmarrë si kanalizimet e ujërave të sipërme që çeduan gjatë 4 tetorit dhe duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.

Sipas tij, “kallëzimi ka për qëllim nisjen e hetimeve, ku mund të merren të gjithë në shqyrtim, që nga kreu i bashkisë tek emergjencat civile dhe OSHEE”.

“Përgjegjësit duhet t’i nxjerri prokuroria. Kemi nxjerrë fakte dhe prova në terren që i kemi vënë në dispozicion. Vihemi në dispozicion kur ta regjistrojnë hetimin. Duhet të kishte nisur duhet të kishte veprime konkrete. Deri tani nuk ka asnjë njoftim për nisjen e hetimeve. Sot kemi depozituar këtë kallëzim në emër të PD-së për shpërdorim detyre”, tha ai./ata