Gjatë qëndrimit në Shkup, Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Begaj e përgëzoi Xhaferin për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe suksesin e arritur në realizimin e zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, të cilat përmbushën të gjithë parametrat demokratikë, si të drejta dhe të pakontestueshme.
Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin dhe rolin vendimtar të shqiptarëve në proceset e shtetformimit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se bashkëpunimi ndërshtetëror dhe ndërkomunitar është çelësi i suksesit dhe stabilitetit rajonal.
Begaj i vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si të shkëlqyera në nivelin politik, ndërsa propozoi zgjerimin e tyre në fusha të tjera me interes reciprok, si në ekonomi, në shkëmbime tregtare e kulturore, në sektorin e energjisë dhe të turizmit.
Presidenti i Shqipërisë theksoi se duhet punuar fort për avancimin e projekteve të nisura në këto fusha.
Po ashtu, Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e dy vendeve në organizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë.
“Politika e jashtme dhe ajo e sigurisë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian”, theksoi Begaj.
Presidenti Begaj shprehu besimin se do të vijohet në këtë mënyrë drejt finalizimit të rrugëtimit të përbashkët të dy vendeve, me anëtarësimin në BE.
Presidenti Begaj zhvilloi një takim në Shkup edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.
Gjatë këtij takimi, të dyja palët diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal./ata