Kolegji Zgjedhor po rinumëron këtë të premte 18 kuti votimi në Bashkinë e Kuçovës. Nisja e seancës u shoqërua me tensione.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Lefter Maliqi është përfshirë në një debat me sekretarin e KQZ-së, Ylli Merkaj. Ai pretendon se KQZ nuk ka vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm që ka kërkuar.
“Mua më thua kështu ti? Hajdut. Ti je hajdut. Kush e thirri atë? Hajdut. Kur të dojë gjykata le ta thërrasë gjykata. Kujt i mëson? Mua më mëson ti që kam qenë oficer policie 25 vjeç, anëtar i Komisionit të Sigurisë 7 vjet?Për çfarë jam këtu? Për të mbrojtur demokracinë, nuk jam për të vjedhur”, dëgjohet të thotë Maliqi.
Kolegji Zgjedhor vendosi 1 javë më parë rinumërimin e 18 kutive të votimit në Bashkinë e Kuçovës. Vendimi u mor pas ankimimit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kandidatit Lefter Maliqi.