Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shkodër, ku dy persona babë e bir u vranë me armë zjarri kanë dalë detaje të reja.
Grupi hetimor është rikthyer sërish mëngjesin e kësaj të premteje në vendin e ngjarjes në fshatit Sumë në Pult të Dukagjinit, për të kqyrur sërish skenën e krimit ku u ekzekutuan babë e bir, Gjokë dhe Eduard Gurra.
Nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se nga gëzhojat e sekuestruara në vendin e ngjarjes është qëlluar nga një armë e vetme e tipit kallashnikov.
Në vendngjarje janë sekuestruar 8 gëzhoja. Autori besohet të ketë vepruar i vetëm, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar.
Veç pistës që babë e bir kishin aktivitet të tregtimit të lëndës drusore, policia ka ngritur edhe atë të konflikteve për mbjelljen e kanabis sativa, duke qenë se 57-vjeçari Gjokë Gurra në vitin 2008 ka qenë punonjës policie dhe së fundmi kryeplak i fshatit Bruçaj.
Po verifikohet nëse ka denoncuar ndonjë rast të kultivimit të drogës dhe kjo mund të jetë bërë shkak për vrasjen.