Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha nga Saranda se Agjencia Kombëtare e Bregdetit për pastrimin e vijës bregdetare ka dyfishuar kapacitetet për sezonin turistik.

 

 

Gjatë këtij takimi në të cilin shoqërohej nga kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Ledion Lako, ministrja Kumbaro kërkoi bashkëpunimin e bizneseve për respektimin e orareve të hedhjeve të mbetjeve dhe shkarkimin e tyre në vendin e duhur.

 

“Unë i kam kërkuar Policisë së Shtetit që të mos falë në rast shkeljesh, sepse është krim mjedisor. Të gjitha këto shërbime që ne bëjmë, qoftë Agjencia Kombëtare e Bregdetit, qoftë Bashkia, bëhen me paratë e taksapaguesve. Nuk ka kuptim dhe nuk është aspak e falshme që bizneset të abuzojnë me oraret, të abuzojnë me mosshkakrimin e plehrave në vendin e duhur”, u shpreh ministrja Kumbaro.

 

 

Kryetari i bashkisë së Sarandës Oltion Çaçi u shpreh se bashkia do të ndërtojë një plazh model publik në këtë qytet, me çadra dhe shezlone pa pagesë si dhe aktivitete sportive brenda territorit të plazhit.