Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në fillim të muajit të ardhshëm për të diskutuar mbi situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për lirinë e medias.

 

Këtë e ka bërë të ditur qeveria holandeze, përmes një njoftimi zyrtar ku thuhet se kryeministri do të shoqërohet nga homologu i tij nga Luksemburgu, Xavier Bettel.

 

Në fokus të këtij takimi do të jenë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe liria e medias për të pasqyruar situatën aktuale tek qytetarët.

 

“Kryeministri Rutte do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën të hënën më 3 korrik dhe të martën më 4 korrik së bashku me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel. Vizita ofron një mundësi për të diskutuar tensionet e ngritura mes Serbisë dhe Kosovës dhe rëndësinë për de-përshkallëzim dhe përkushtim ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizim të raporteve”, thuhet në njoftim.

 

Rutte dhe Bettel më 4 korrik do të qëndrojnë në Kosovë, ku do të takojnë presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti nga krerët e shtetit, me të cilët do të diskutojnë, mes tjerash, zhvillimet e fundit në rajon dhe luftën në Ukrainë.

 

“Vizita do të përfundojë me një bisedë me përfaqësues të OJQ-ve në Kosovë në fushën e lirisë të mediave dhe LGBTIQ+”, thuhet në njoftim.

 

Ka disa ditë që qeveria e Kosovës, ka marrë një vendim për shfuqizim të certifikatës biznesore të Klan Kosova sh.p.k. Për këtë ka reaguar mbrëmë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili tha se është duke e ndjekur nga afër këtë zhvillim, duke u shprehur i bindur se veprimtaria e Klan Kosovës do të vazhdojë, e papenguar.

 

Veç ambasadorit, të shqetësuar janë shprehur edhe shumë kolegë të tij diplomatë të akredituar në Kosovë, por edhe organizata vendore e ndërkombëtare që merren me lirinë e shprehjes.