Kryeministri Edi Rama teksa ka prezantuar reformën për Kadastrën, ka njoftuar se nga data 3 Korrik do të mbyllen sportelet e Kadastrës.

 

Gjatë fjalës së tij ai i ka kërkuar falje të gjithë shqiptarëve për padrejtësitë e kryera në institucionin e Kadastrës.

 

Rama tha se nuk kanë mundur ta transformojnë Kadastrën ndonëse kanë pasur shumë kohë.

 

Ndër të tjera, kryeministri thekson se kokë ulur sot i kërkon ndjesë shumë të madhe nga PS të gjithë qytetarëve që kanë kaluar tortura. Sipas tij, kjo është një ndjesë që ka pritur ta bëjë prej kohësh.

 

“E vërteta e parë është se ne nuk kemi arritur edhe pse kemi pasur një kohë të gjatë në dispozicion, që ta transformojmë kadastrën në atë që ajo është në të vërtetë. Kadastra është bankë. Njësoj si banka qëndrore, njësoj si bankat e nivelit të dytë. Dhe si çdo bankë, Kadastra nuk është një “fole” për qoka, për gjithë çfarë lloj njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me atë pune.

 

E vërteta e hidhur është se kadastra  është vonuar në radhë të parë nga ju. Deputetë, ministra, kryetar bashkisë. Për të vazhduar me tutje, të gjithë ato që kanë sadopak pushtet, që i kanë dhënë vetes të drejtën të interferojnë me kadastrën. Që nga influenca me drejtuesit, punonjësit apo të tjerët deri në imponim, duke e penguar të bëhet ajo që duhet të jetë, banka e sigurtë e pronave të patundshme të qytetarëve.

 

E vërteta tjetër e hidhur është e shkuara e tmerrshme, me harta të konsumuara nga palosjet dhe çpalosjet dhe tituj pronësie të lëvizshëm sipas interesave nga papërgjegjshmëria e plotë nga persona që futet nga persona për ta bërë atë punë, por janë injorantë.

 

Situata jonë në këtë aspekt ishte me katastrofikja në Europë. Janë bërë shumë përpjekje dhe askush nuk e mohon këtë. Por askush nuk e mohon edhe faktin që ne sot  jemi në kushtet kur nuk kemi arritur atë që duhej të arrihej.

 

Padiskutim aktori i gjithë kësaj historie të zymtë është korrupsioni, paraja, por ajo shprehja kur gjenerali shkul një mollë, ushtarët marrin gjithë pemët kanë bërë për shkak se influenca politike mbi kadastrën e deputetëve, e kryetarëve të bashkive dhe e të tjerëve ka qenë shumë e pranishme, atëherë të tjerët kanë bërë njëmijë fishin.

 

Dua ta them me gojën plot dhe kokën ulur, se sot është koha për të kërkuar një ndjesë shumë të madhe nga PS të gjithë atyre qytetarëve që kanë kaluar tortura.

 

Kjo ndjesë është ndjesa e një kryetari partie fajtore, natyrisht nuk është e gjithë partia, por në radhë të parë është udhëheqja e partisë që ka dhënë shembullin më të shëmtuar për të gjithë të tjerët.

 

E vërtetë që Kadastra është institucioni i vetëm në Shqipëri që bashkëjeton me kërcënimet. Kjo ndjesë sot është një ndjesë që mezi kam pritur që të vijë dita ta bëj, por nuk e kam bërë më parë se kam i ditur që e nesërmja do të jetë po njësoj”, tha Rama.