Shërbimi i Botimeve Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë ka përgatitur sot një broshurë në kuadër të 30 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Parlamentarizmit, datë në të cilën u themelua IPU, (Unioni Parlamentar Ndërkombëtar).
IPU, e cila promovon qeverisjen demokratike, institucionet dhe vlerat është një organizatë globale e parlamenteve kombëtare ku përfshihen 178 parlamente anëtare, ndërsa aktiviteti i saj nisi në vitin 1889.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka një përvojë të gjatë në bashkëpunimin me Unionin Parlamentar Ndërkombëtar dhe parlamentet kombëtare të vendeve mike e partnere që bëjnë pjesë në këtë organizatë.
Këto marrëdhënie kanë qenë dhe mbeten intensive me interes të ndërsjellë dhe kontribute të rëndësishme për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin për zhvillimin, sigurinë dhe paqen midis popujve.
Kuvendi dhe delegacionet parlamentare kanë sensibilizuar institucionet respektive parlamentare për të mbështetur më shumë Shqipërinë në nevojat dhe sfidat e saj të integrimit, për përpkrahjen ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe të bashkëpunimit rajonal. Parlamentet e forta mbeten një gur themeli i demokracisë.