Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi paraqiti sot në Kuvend raportin për veprimtarinë vjetore 2023 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Celibashi u shpreh në fjalën e tij në seancë plenare se, zgjedhjet për organet e vetëqeverisjes vendore të datës 14 maj si dhe zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë Kukës të mbajtura më 24 shtator ishin kryefjala e aktiviteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2023.

“Viti 2023 do të shënonte pilotimin me sukses të votimit dhe numërimit elektronik në 3 bashki të vendit. Ky vit do të shënonte njëkohësisht edhe fillimin e procesit të digjitalizimit të disa proceseve të punës së KQZ-së, të cilat synojnë përmirësimin dhe rritjen e eficencës së administrimit zgjedhor”, theksoi Celibashi.

“Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 14 maji Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ka miratuar 852 (tetëqind e pesëdhjetë e dy) akte nënligjore nga të cilat 825 (tetëqind e njëzet e pesë) janë vendime, 5 (pesë) udhëzime dhe 22 (njëzet e dy) urdhra”, u shpreh Celibashi.

Gjithashtu, shtoi ai, “KSHZ, në bashkëushtrim të kompetencave me Nënkomisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, ka miratuar në total 16 akte nënligjore, nga të cilat 6 vendime dhe 10 urdhra”.

“Komisioni Rregullator ka miratuar 33 vendime. Procesi i miratimit të akteve nënligjore është paraprirë nga një konsultim i gjerë me parti politike, organizata të shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë të lidhur me procesin zgjedhor. Shqyrtimi dhe miratimi i tyre është bërë në seanca publike me pjesmarrje të palëve të interesuara dhe medias. Akte e miratuara janë publikuar në faqen zyrtare elektronike të KQZ-së, brenda 24 orëve nga miratimi i tyre”, tha më tej Celibashi.

Ai shtoi se, buxheti i alokuar ka qenë 1.8 miliardë lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për përballimin e kostos së zgjedhjeve, dhe 800 milion lekë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministravepër realizimin e votimit elektronik.

KQZ rekrutoi 352 punonjës shtesë me kohë të pjesëshme, tha Celibashi.

Sa i përket listës së zgjedhësve, Celibashi u shpreh se, “KQZ-ja mbikëqyri drejtpërdrejt veprimet në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për hartimin e listave të zgjedhësve nëpërmjet dy auditëve teknicienë. Sipas konkluzioneve të auditeve teknicienë: Ekstraktet janë gjeneruar brenda afateve ligjore. Të gjitha Zyrat e Gjendjes Civile, kishin printuar listat e zgjedhësve. Pasqyrimi në web i listës së zgjedhësve u realizua në bashkëpunim me DPGJC dhe platformën “e-albania””.

Ndërkohë, shtoi ai, “pati pretendime nga parti të opozitës në lidhje me të ashtuquajturën “zhvendosje” të qendrës së votimit për një numër të konsiderueshëm zgjedhësish. Vazhdojmë të kemi probleme me procesin e njoftimit derë më derë të zgjedhësve nga drejtuesit e organeve tëqeverisjes vendore”.

Sa i përket veprimtarisë së institucioneve publike, Celibashi theksoi se, “në ndërfaqen e raportimeve janë të regjistruara 716 institucione publike, 361 më shumë se institucionet e regjistruara për për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021”.

Ai shtoi se, kanë kryer raportime 147 institucione publike. Numri total i raportimeve është 3811.

“Janë ndaluar me vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për shkelje të afatit të raportimit dhe/ose pjesëmarrje të përfaqësuesve politikë 37 veprimtari publike”, tha ai.

Sa i përket shqyrtimit të denoncimeve, Celibashi tha se, “janë vendosur 64 sanksione administrative për 60 funksionarë, nga të cilët 1 ministër,  27 kryetarë bashkie, 24 persona përgjegjës për raportimin e veprimtarive publike, 5 sekretarë të përgjithshëm, si dhe 1 drejtues agjencie shtetërore, 3 drejtues shkollash dhe 1 drejtues qendre kulturore.  Gjithashtu, janë marrë masa administrative për 4 media audiovizive”./ata