Spanja ka sekuestruar një sasi prej 6.5 ton kokainë.

 

Lënda narkotike u gjet brenda disa kuti bananesh pas kontrollit në disa depo dhe anije mallrash. Sipas autoriteteve spanjolle kokaina arrinte një vlerë në treg prej 223 milionë eurosh.

 

Europol në bashkëpunim me Gardën Civile Spanjolle çmontuan një rrjet kriminal të përfshirë në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut në BE. Hetimi, i cili filloi në tetor 2022, përfshiu policinë kombëtare Kolumbiane dhe policinë e shtetit Letonez.

 

Europol lehtësoi shkëmbimin e informacionit dhe ofroi mbështetje të vazhdueshme analitike. Në ditën e aksionit, Europol dërgoi oficerë në Spanjë për të mbështetur zhvillimet e inteligjencës gjatë aktiviteteve në terren.

 

Rezultatet e hetimeve zbuluan 8 vendndodhje të kontrolluara, 13 arrestime si dhe konfiskimin e 6.5 ton kokainë, automjete, ora luksoze, një numër i madh pajisjesh elektronike dhe 1.5 milionë euro cash.

 

Lideri i rrjetit kriminal konsiderohet të jetë një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në Spanjë. Me qendër në Malaga, ai drejtonte një rrjet në shkallë të gjerë, duke kontrabanduar kokainë nga Ekuadori dhe Kolumbia në BE. Bosi i krimit është gjithashtu një anëtar i një familjeje të njohur vendase nga qyteti spanjoll Castellar de la Frontera, i cili përdorte një kompani me shumicë peshku të ngrirë në Algeciras për të pastruar paratë.

 

Rrjeti kriminal pastronte pasuritë e paligjshme me anë të kësaj kompanie, duke u përfshirë edhe në tentativa për korruptim të zyrtarëve publikë. Përsa i përket kontrabandës së kokainës, rrjeti kriminal përdori një mjet tjetër për të ruajtur ngarkesën e tyre të paligjshme – bananet. Ngarkesa mbuluese ishte importimi i bananeve nga Ekuadori dhe Kolumbia.

 

Gjatë shtatë muajve të fundit, autoritetet kombëtare sekuestruan një sërë ngarkesash të mëdha kokaine të lidhura me këtë organizatë kriminale. Në dhjetor 2022, policia kolumbiane sekuestroi rreth 3 ton kokainë të fshehur në ngarkesat e bananeve që kalonin nga porti Turbo nëpërmjet portit të Kartagjenës dhe të destinuara për në portin spanjoll të Algeciras. Në një tjetër incident, autoritetet kolumbiane kapën një ngarkesë të dytë prej 1.25 ton kokainë në portin e Kartagjenës.

 

Në maj 2023, për të shmangur përgjimet e mundshme në Kolumbi, rrjeti kriminal organizoi një dërgesë të re direkt nga Ekuador në Algeciras. Autoritetet spanjolle kapën këtë ngarkesë të madhe prej 2.296 tonësh kokainë teksa ishte rrugës për në një magazinë . Kokaina ishte fshehur mes dërgesave legale të bananeve. Gjatë kësaj ndërhyrjeje, oficerët spanjollë arrestuan shtatë të dyshuar. Autoritetet kolumbiane dhe spanjolle sekuestruan 6.5 ton kokainë në total, me vlerë rreth 223 milionë euro në tregun ilegal.