Qeveria e Kosovës ka kontraktuar punëtorë për heqjen e billbordeve me simbole dhe imazhe të personaliteteve serbe dhe ruse në veriun e banuar me shumicë serbe.

Nëpërmjet një video-mesazhi në rrjetet sociale, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë publike pamjet e këtij aksioni në të cilin bashkë me të mori pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Sveçla tha se gjatë ditës në veri të Zveçanit janë larguar “billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve të cilat janë të papranueshme në Republikën e Kosovës”.

“Momentalisht ndodhemi në veri të Zveçanit ku punëtorë të kontraktuar nga Qeveria e Kosovës po largojnë billbordin me fotografitë e Putinit dhe Vuçiqit. Në Republikën e Kosovës nuk ka vend për figurat e diktatorëve, pushtuesve dhe agresorëve. Ne jemi një vend demokratik i përcaktuar qartë për vlerat perëndimore, andaj nga sot në asnjë cep nuk do të lejohen simbolika të diktatorëve apo të vendeve të cilat janë agresore në raport me Kosovën dhe ekzistencën e saj”, theksoi Sveçla.

Sveçla shtoi se simboli i vetëm i Serbisë brenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

Krasniqi, nga ana e tij, tha se rendi dhe ligji do të zbatohen në çdo cep të Kosovës, përfshirë edhe komunat e veriut me shumicë serbe.

“Ky është vetëm një aksion i cili do të vazhdojë edhe me largimin e simboleve dhe shenjave të tjera të cilat nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi të Kosovës”, theksoi Krasniqi./aa