Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot domosdoshmërinë e thellimit të “Procesit të Berlinit”, si një oportunitet historik në kushtet kur BE-ja është e gatshme të mbështesë një plan të ri financiar dhe ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

 

Në një intervistë televizive nga Ulqini, Rama theksoi se “Ballkani i hapur” ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi.

 

Kryeministri solli në vëmendje faktin se “në tetor Shqipëria pret për herë të parë në Tiranë, që kur në 2014-tën Angela Merkel hapi procesin, Samitin e Berlinit në Ballkan”.

 

“Dhe është një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse ne jemi përgatitur për një hap të madh përpara, po punojmë me Bashkimin Europian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit që duam shumë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor dhe është një plan real”, shtoi ai.

 

Kryeministri u shpreh se “Ursula Von der Leyen në Bratislavë e dha një mesazh të parë lidhur me planin për të rritur financimin, për të rritur aksesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europianm duke rritur instrumentet ekonomikë”.

 

“Ndërkohë që duhet të merremi me këtë, natyrisht që ‘Procesi i Berlinit’ është tanimë aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët dhe në ndërkohë e kuptoni se çfarë do të thotë? Tetori erdhi, korriku hyri, si mundet ne ta mbajmë të bashkuar Bashkimin Europian? Se jo të gjithë aty janë të vëmendshëm, jo të gjithë aty e kanë interesin që kanë këta kryesorët për të na mbështetur ne, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, nëse ne vazhdojmë merremi me Oso Kukën. Kjo është arsyeja pse besoj se ‘Procesi i Berlinit’ është e ardhmja jonë”, u shpreh Rama.

 

Ai theksoi se planifikon të bëjë një tur në rajon për t’u takuar me gjithë kryeministrat dhe presidentët e rajonit dhe për të folur mbi këtë proces duke u kërkuar kohezion e bashkëpunim.

 

“Unë po planifikloj të bëj një tur në rajon. Dua të shkoj të takoj të gjithë kryeministrat edhe presidentët, në Shkup, Prishtinë, Sarajevë e Podgoricë për ti informuar se çfarë po bëjmë. Procesi i ‘Berlinit është ombrella jonë. Unë jam shumë krenar për “Ballkanin e hapur”. Pa atë iniciativë do të ishte e pamundur të liroheshin 3 policët para disa ditësh”, shtoi ai.