Kreu i Grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha, kërkon rikthimin e debatit në Kuvend për ligjin e lustracionit.

 

Berisha në një mbledhje me deputetë mbështetës të “Rithemelimit” në PD, akuzoi mazhorancën se po bllokon nismat e opozitës në Kuvend, teksa shton se nisma për lustracionin e propozuar nga grupimi i “Rithemelimit”, është depozituar në Kuvend prej 6 muajsh.

 

“Vazhdon dhunimi i të drejtave të opozitës në parlament, dhe nismat tona të cilat në çdo parlament të botës detyrimisht, do të ndiqnin rregullat parlamentare bllokohen pa asnjë arsye ligjore, por kryekëput politike për të mohuar të drejtat më elementare të deputetit dhe opozitës në parlament”,- nisin fjalën e tij Berisha.

 

“Siç e dini janë një seri nismash të grupit tonë në parlamentar, të cilat kanë muaj e muaj që mbahen në sirtaret e Lindës së Parlamentit me urdhër të Edi Ramës në mënyrën më absurde,, në mënyrën më të padrejtë, dhe vazhdohet sikur nuk ndodh asgjë”,- vijoi Berisha.

 

“Prej mbi 6 muaj ne kemi dërguar në parlament ligjin e lustracionit. Ky ligj është ligji i cili, jo vetëm identifikon deputetët, gjykatësit, prokurorët, zyrtarët e lartë për bashkëpunimin e tyre të dikurshëm, ose jo me Sigurimin e Shtetit, por ai detyron largimin nga shërbimi, detyra e atyre që dalin se kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit”,- theksoi ish Kryeministri.

 

Sipas tij, ky ligj është aplikuar plotësisht në vitit 1996. “Në vitin 1997 ligji nuk është hedhur poshtë, por është hedhur poshtë lustracioni si komponent i ligjit, dhe vazhdoi për një kohë si i tillë. Në vitin 2008, ne përsëri rikthyem në parlament ligjin e lustracionit”,- tha ai.

 

“Gjykata Kushtetuese me kërkesë të Edi Ramës e hodhi poshtë ligjin, në mënyrë plotësisht antikushtetuese, pasi të njëjtin ligj Gjykata Kushtetuese në vitin 1996 e kishte shpallur të vlefshëm, kushtetues. Por ligjet e mëvonshme këtë ligje lënë plotësisht kushtetues, sepse në ndryshimet kushtetuese që u bënë lustracioni, apo largimi nga sistemi i drejtësisë i ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit u stipulua, u sanksionua në Kushtetutë. Kështu që tani, ligji i lustracionit ka një bazë solide të padiskutueshme”,- përfundoi fjalën e tij Berisha.