Deportimi dy herë radhazi nga autoritetet britanike nuk e ka ndalur një 28-vjeçar shqiptar që të rikthehet në ishull dhe të shijojë jetën e luksit.

 

Daily Mail shkruan se Dorian Puka është deportuar dy herë për një sërë krimesh në periferi të Londrës dhe nuk duhet të jetë fare në Britani.

 

 

Por në rrjetet e tij sociale shihet duke pushuar në një hotel luksoz me katër yje në bregdetin e Kornuoll, ku çmimet e dhomave nisin nga 250 £ nata.

 

I veshur me një këmishë me simbole kafshësh, pantallona të shkurtra dhe sandale, Puka ka postuar edhe foto duke luajtur golf në Carlyon Bay. Në foto të tjera i riu shihet po ashtu duke lëvizur në londër me mjete të shtrenjta si Porsche, Mercedes, BMW dhe Range Rover.

 

“Puka poston pandërprerë, duke u mburrur për jetën e tij magjepsëse britanike. Ai shpërndan foto nga restorantet e shtrenjta në perëndim të Londrës dhe duke bërë pushime në bregdetin jugor. 28-vjeçari ka arritur t’u shmanget autoriteteve duke jetuar jetën e ëndrrave në Britani për më shumë se dy vjet që kur Home Office u informua për herë të parë se ai ishte kthyer ilegalisht në ishull”.

 

Më tej, Mail nënvizon se edhe pse Ministria e Brendshme nuk ka arritur që nga 2021 të zbulojë vendodhjen e hajdutit serial që ka terrorizuar Londrën për gati një dekadë, gazetarët kanë zbuluar se Puka jeton në një apartament me vlerë 250,000 £ në Hounslow, në perëndim të Londrës.

 

Ai është parë duke u larguar nga kjo banesë me një Mercedes CLS Coupe me vlerë 60,000 £.

 

Media britanike më tej konstaton se shkelja flagrante e kontrolleve të imigracionit nga Puka është ilustrimi më i fundit i dështimeve të forcave të kufirit në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Sa i përket historisë së tij kriminale, 28-vjeçari fillimisht u burgos për 9 muaj pasi tentoi të grabiste një pronë në Tëickenham në vitin 2016 dhe u dëbua në 2017. Por brenda 12 muajsh ai u kthye në Mbretërinë e Bashkuar, ku kreu një sërë vjedhjesh në periferi të Londrës.

 

Herën e dytë ai u kap nga një oficer civil në jug-perëndim të Londrës, teksa mbante në dorë një orë të shtrenjtë të vjedhur.

 

Puka u burgos për tre vjet e gjysmë, por ai mori famë në burg pasi postonte në rrjetet sociale foto me të burgosur të tjerë shqiptarë të lidhur me grupet e krimit të organizuar.

 

Në njërën prej tyre ai ka pozuar me një shok të dënuar dhe ka shkruar: “Nga H.M.P. ne e bëjmë V.I.P….!!!!‘.

 

Ai u deportua në mars 2020, por u kthye janarin e ardhshëm në Britani duke udhëtuar përmes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës.