Komisioni për çështjet Ligjore është përfshirë nga një debat i fortë pas deklaratës së zëvendësministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili u shpreh se ‘ishte krenar për punën e institucionit ku punonte’.

 

Teksa në mbledhje u diskutua konventa për shtypjen e akteve të terrorizmit bërthamor, deputetja e PD-së, Dhurata Çupi kërkoi informacione nëse ka burime radioaktive në vendin tonë apo jo.

 

Debati: 

 

Çupi: A keni informacion mbi burimet radioaktive në Shqipëri? Çfarë ka të shtuar ky kontroll? Mirë që firmosim letrat, por çështja është që të kontrollojmë territorin. Mbetet në letra, apo kemi informacione për burime radioaktive?

 

Lamallari: Në territorin e Republikës së Shqipërisë për gjendjen materiale radioaktive, por jo bërthamore. Ato janë për qëllime dobiprurëse, për shkencën dhe mjekësinë. Rregullat dhe standardet janë të përcaktuara. Ne jemi palë tashmë. Janë dhe institucionet zbatuese, kemi dhe drejtori që përkujdesen për parandalimin dhe zbatimin e ligjit, siç është dhe ISHP. Jam krenar dhe e them me përgjegjësi. Nuk mohojmë se s’do ketë asnjëherë. Faktet janë fakte..

 

Çupi: Për çfarë është krenar? Vrasje e krime përditë. Është e papranueshme, mes mund të thotë ai ashtu.

 

Dogjani: Çfarë krenarie? Të vritesh në shtëpi…apo si në rastin e 13-vjeçarit që vritet te dera e shtëpisë? Që vriten dy veta në Dukagjin? Ju të vini këtu dhe të thoni; situata nuk është mirë. Këtu duhet të dihet se çfarë kërkon qytetari shqiptar. Kërkojmë të jemi të sigurt në shtëpitë tona. Po pihet drogë në shkolla. Flas si qytetar. Më vjen keq që vini këtu dhe thoni; jam krenar që pihet drogë dhe që vritet.