Policia e Shtetit ka arrestuar në mesnatë Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për Bashkinë e Himarës.

 

Siç raportojnë mediet, arrestimi i Belerit është kryer pasi kandidati për kryetar bashkie në Himarë akuzohet për blerje votash.

 

Ai është është shoqëruar në ambientet Drejtorisë se Policisë në Vlorë rreth orës 00:15.

 

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule tha në një prononcim për mediet se arrestimi i Belerit është sulm politik dhe bëri thirrje që të tilla tentative, për pengimin e procesit elektoral të ndalen.

 

“Pas një jave deliriumi gjuhë urrejtjeje, përçarjeje dhe stigmatizimi nga ana e kryeministrit Rama kundër kandidati të koalicionit në Himarë zoti Bejleri me urdhër e porosi të tij forca policore rrëmbyen në qendër të qytetit dhe shoqëruan për në komisariatin e Vlorës, zotin Bejleri dhe avokatin e tij. Është një akt i paprecedentë dhe i pashpjegueshëm. Është një fenomen që ka lidhje me regjimet totalitar. Thirrja jonë është lirimi i zotit Bejleri, garantimi i procesit zgjedhor dhe heqja dorë njëherë e mirë nga intimidimi i qytetarëve dhe përpjekja për të tjetërsuar vullnetin e sovranit”, deklaroi Dule.

 

Fredi Beleri ka qenë në qendër të vëmendjes të opinionit publik ditët e fundit pas deklaratës së bërë në mediat greke ku është shprehur se në rast se fiton do të punojë për helenizimin e Himarës.