Po vijon puna në kantierin e poligonit të parë publik të testimit praktik për Leje Drejtimi dhe Qendrës së parë Edukative Digjitale të Simulimeve Virtuale për Leje Drejtimi, në Fushë-Prezë, Tiranë.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bëri të ditur se investimi synon vendosjen e standardeve të testimit transparente e në kushte sigurie manovrash, por edhe krijimin e një qendre futuristike edukimi e formimi për kursantë e subjekte të interesuara për ushtrime e prova të epokës digjitale.

 

“I kushtojmë rëndësi rritjes së cilësisë së procesit të testimit për Leje Drejtimi, eMonitorimit, modernizimit të proceseve të shërbimit që lidhet me autoshkollat. Objekti i ri brenda kësaj qendre do të kthehet në një hapësirë të teknologjisë, pikë takimi për aktivitete edukative me moshat e reja si edhe stacion trajnimesh profesionale”, thuhet në njoftimin e DPSHTRR-së.

 

Kompleksi i ri, me një sipërfaqe rreth 6,000 m2 do të shërbejë edhe për programe edukative të sigurisë rrugore, orë këndi trafiku dhe aktivitete mësimore shtesë.