Karen Sawyer, 61 vjeç, rrezikoi të vdiste pasi u sulmua nga bashkëshorti i saj, i cili i preu damarët në një tentativë të dështuar vrasjeje, pasi u zhytën në borxhe gjatë izolimit nga koronavirusi.

 

61-vjeçarja ishte duke fjetur kur bashkëshorti i saj, Andrew Sawyer u ngrit nga shtrati në shtëpinë e tyre në Trowbridge të Anglisë për t’i dhënë asaj një përqafim përpara se të tentonte t’i priste damarët. Babai i dy fëmijëve,  Sawyer, 69 vjeç, ishte zhytur në borxhe, teksa kishte mbetur i papunë dhe kishte për të paguar faturat e kredinë prej 25 mijë paundësh.

 

Zonja Sawyer, e cila është e martuar me bashkëshortin e saj për 43 vjetësh, u detyrua të mbyllte parukerinë për shkak të pandemisë, ndërsa 69-vjeçari humbi punën si menaxher në një kompanie që shiste produkte elektrike.

 

“Unë ende e dua burrin tim dhe dua të plakemi së bashku. Mezi pres derisa të dalë nga burgu. Dashuria jonë është shumë e fortë dhe së shpejti do të jemi sërish bashkë”, tha gruaja për Daily Mail.

 

Që nga tentativa për vrasje, Karen Sawyer ka jetuar me motrën e saj, ndërsa shtëpia ka dalë në shitje. “Ne e kemi kaluar tashmë të gjithë atë traumë dhe tashmë jemi të gatshëm t’ia nisim nga fillimi”, tha zonja.

 

Gjykatësi pranoi se Andrew Sawyer ka qenë në depresion kur kreu sulmin, por tha se ai nuk mund të vendosë për jetën e dikujt tjetër. Andrew Sawyer është dënuar me 3 vjet e 10 muaj burg pasi pranoi tentativën e vrasjes.

 

Që nga tentativa e vrasjes, gruaja nuk ka qenë në gjendje t’i rikthehet punës për shkak të prerjeve që kishte në dorë. Megjithatë, ajo nuk pranon të flasë fare më për të shkuarën dhe kërkon ta lërë pas atë për një fillim të ri.