Një tjetër politikan rus, i cili kritikoi luftën në Ukrainë ka ndërruar jetë në mënyrë misterioze. Bëhet fjalë për zëvendësministrin rus të Shkencës, Pyotr Kucherenko, 46-vjeç, i cili ka qenë një kritik i pushtimit rus në Ukrainë.

 

Në një njoftim për mediat ministria ruse e Shkencës bëri me dije se zyrati i lartë vdiq gjatë fundjavës pasi u sëmur në avion teksa kthehej nga Kuba. Por nuk janë bërë me dije shkaqet e plota të vdekjes.

 

Vdekja e parakohshme e zv. ministrit  është një nga shumë vdekjet e papritura dhe të profilit të lartë në të gjithë Rusinë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës  vitin e kaluar. Zyrtarët ushtarakë rusë, biznesmenë dhe kritikët e hapur të luftës kanë vdekur të gjithë në rrethana misterioze të përcjella nga Kremlini si vetëvrasje.