Pas më shumë se një muaji ekzaminime, nga veterinerët e Institutit Universitar të Shëndetit të Kafshëve dhe Sigurisë Ushqimore janë zbardhur shkaqet e vdekjes së një balene.

 

Arsyeja lidhet me një gur ngjyrë gri qelibari dhe peshë 9 kilogramë e me diametër 60 centimetra, që kishte ngecur në zorrën e balenës së gjetur në La Palma të Ishujve Kanarie.

 

Guri u gjet shumë afër kolonit distal, çka besohet se i shkaktonte pengim të tranzitit të zorrëve.

 

Sipas ekspertëve kemi të bëjmë me një sekrecion biliar të ngurtësuar.

 

“Një gur i ngjashëm me gurin në veshka, i cili ka një vlerë të lartë në sektorin e parfumeve”, thuhet në raportin shkencor.

 

Ky gur kushton të paktën 500 mijë euro, por për balenën ishte një thesar vërtetë  vdekjeprurës.

 

Balena në fjalë u gjet e bllokuar në plazhin Nogales, më 21 maj. Patologët veterinarë të Universitetit lokal kishin përjashtuar menjëherë shkaqet antropike në vdekjen e kafshës.