“Ky zjarr ka 4000 vjet që nuk është ndalur kurrë. Edhe shiu që bie, bora, era – nuk kanë mundur ta ndalin”, thotë Aliyeva Rahila. Përpara, flakët ‘vallëzonin’ pa pushim në një distancë prej 10 metrash të kodrinës, duke e bërë një ditë të nxehtë edhe më të nxehtë. Ky është Yanar Dag – që do të thotë “mal që digjet” – në gadishullin Absheron të Azerbajxhanit, ku Rahila punon si udhërrëfyese turistike, raporton CNN.

 

 

Një efekt anësor i rezervave të shumta të gazit natyror të vendit, të cilat ndonjëherë rrjedhin në sipërfaqe, Yanar Dag është një nga disa zjarret që ndizen spontanisht dhe ka magjepsur, por edhe ka frikësuar turistët në Azerbajxhan. Eksploruesi venedikas, Marco Polo shkroi në shekullin e XIII-të për fenomenet misterioze të këtij vendi. Edhe tregtarë të tjerë të “Rrugës së Mëndafshit” kanë folur për zjarrin ndërsa udhëtonin drejt vendeve të tjera.

 

Religjioni i lashtë

Zjarret e tilla dikur ishin të shumta në Azerbajxhan, por për shkak se ato ulen presionin e gazit nën tokë, duke ndërhyrë në nxjerrjen komerciale të gazit, shumica janë shuar. Yanar Dag është një nga shembujt e paktë të mbetur dhe ndoshta më mbresëlënësi. Në një kohë ata luajtën një rol kyç në fenë e lashtë “Zoroastrian”, e cila u themelua në Iran dhe lulëzoi në Azerbajxhan në mijëvjeçarin e parë para Krishtit. Për zoroastrianët, zjarri është një lidhje mes njerëzve dhe botës së mbinatyrshme, ku përmes saj mund të arrihet tek vizioni dhe dituria shpirtërore. Është pastrues, ëmbëlsues i jetës dhe një pjesë jetike e adhurimit të tyre. Sot, shumica e vizitorëve që arrijnë në qendrën e vizitorëve të Yanar Dag vijnë për spektakël dhe jo për rite fetare.

Përvoja më mbresëlënëse është gjatë natës, ose në dimër. Kur bie dëborë, copëzat shpërndahen në ajër pa e prekur kurrë tokën, thotë Rahila.

 

Yanar Dag – disa argumentojnë se ky zjarr i veçantë mund të jetë ndezur vetëm në vitet 1950 – gjendet në veri të kryeqytetit Baku dhe mund të shkoni atje për 30 minuta nëse udhëtoni me veturë. Qendra ka vetëm një kafene të vogël dhe asgjë më tepër.

 

“Tempulli i zjarrit” Ateshgah

Për ta pasur më të qartë historinë e adhurimit të zjarrit prej azerbajxhanasve, vizitorët duhet të shkojnë në lindje të Baku, gjegjësisht në “Tempullin e zjarrit” të Ateshgah. “Që nga kohët e lashta, ata mendojnë se perëndia [e tyre] është këtu”, thotë udhërrëfyesi i CNN, ndërsa hyjmë në kompleksin pesëkëndor, i cili u ndërtua në shekullin e XVII-të dhe të XVIII-të nga kolonët indianë në Baku. Ritualet e zjarrit në këtë vend datojnë në shekullin e XX-të ose më herët. Emri Ateshgah vjen nga persishtja që do të thotë “shtëpia e zjarrit” dhe në pjesën qendrore të kompleksit është një faltore me një kupole me maje, e ndërtuar mbi një kanal gazi natyror.

 

Një flakë natyrore, e përjetshme digjej këtu në altarin qendror deri në vitin 1969, por këto ditë zjarri ushqehet nga furnizimi kryesor i gazit të Bakut dhe ndizet vetëm për vizitorët. Tempulli është i lidhur me Zoroastrianizmin, por historia e dokumenton si një vend adhurimi i indianëve – hindu. I ndërtuar si një bujtinë udhëtarësh në stilin e “karvanserait”, kompleksi ka një oborr të rrethuar me mure të rrethuar nga 24 dhoma.

 

Këto përdoreshin në mënyra të ndryshme nga pelegrinët, tregtarët kalimtarë dhe banorët rezidentë, disa prej të cilëve iu nënshtruan sprovave të tilla si shtrirja në gëlqere, “veshjeve” me zinxhirë të rëndë. Tempulli doli jashtë përdorimit si një vend adhurimi në fund të shekullit të XIX-të, në një kohë kur zhvillimi i fushave të naftës përreth nënkuptonte se nderimi i Mamonit po fitonte një fuqi më të madhe. Kompleksi u bë muze në vitin 1975, u nominua si Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s në vitin 1998 dhe sot mirëpret rreth 15 mijë vizitorë në vit.