Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, prezantoi në Vlorë projektin e ri të Spitalit Psikiatrik, i cili do të transformohet në një model të ri me dy shtëpi të mbështetura, me një financim të qeverisë shqiptare.

 

 

“Është një tjetër project i qeverisë shqiptare në vlerën 180 milion lekë, për dy shtëpi të mbështetura, të cilat do të ndërtohen në këtë strukturë spitalore, duke i dhënë kështu mundësi 120 pacientëve të cilët vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor, të mund të akomodohen në këto struktura, që janë si struktura  familjare. Pra nuk ngjajnë me një spital tipik, por me struktura familjare, të cilat munden që të krijojnë të gjithë aspektet të trajtimit klinik, por edhe të aspektit të shërbimit multidisiplinor, atij social e rekreativ, nëpërmjet terapive që ne ofrojmë,”- tha Manastirliu.

 

Mbështetur në objektivat botërorë për shëndetin mendor dhe në zbatim të planit të veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ministrja Manastirliu tha se në po vijon zgjerimi i shërbimit me psikologë dhe punonjës socialë në kujdesin shëndetësor parësor.

 

 

“Tashmë jemi duke përfshirë të gjithë sistemin tonë të kujdesit parësor në një fazë zhvillimore, ku për herë të parë kemi përfshirë shërbimet sociale, duke i integruar me ato shëndetësore. Tashmë jemi në fazën ku dhe 50 punonjës të tjerë socialë dhe psikologë do t’i shtohen strukturave tona të kujdesit parësor, duke e çuar në 100 armatën tonë të psikologëve edhe punonjësve socialë në kujdesin parësor”, tha Manastirliu.

 

Këtë vit, përveç investimit në Spitalin Psikiatrik Vlorë, për strukturat e mbështetura, një tjetër projekt i rëndësishëm do të hapet për rehabilitimin e Spitalit Psikiatrik në Qendrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza”.

 

Gjithashtu në vitin 2024 do të nisë projekti i rehabilitimit për Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, për t’ju shërbyer të gjithë pacientëve me problematika të shëndetit mendor në kushte optimale dhe sipas modelit ndërkombëtar të trajtimit të këtyre sëmundjeve, përmes shtëpive të mbështetura, të cilat janë struktura familjare.