Spitali Memorial Rajonal Fier është spitali i parë publik që përfiton Kartën e Autonomisë Menaxheriale.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, i ka dorëzuar Spitalit Memorial Kartën e Autonomisë Menaxheriale.
Ministrja Manastirliu tha se autonomia menaxheriale është hapi i parë drejt autonomisë financiare.
"Sot jemi për të dhënë simbolikisht kartën e autonomisë menaxheriale, e cila përcakton fushëveprimin bazuar në rregulloren e Autonomisë Spitalore të miratuar nga Këshilli i Ministrave, një kartë e cila përmban të gjithë elementët që decentralizohen dhe i kalojnë vetë spitalit administrimin e tij, duke filluar nga burimet njerëzore, administrimi, autonominë për të krijuar modalitete të reja në përzgjedhjen e stafeve, qoftë mjekësore qoftë jomjekësore në kuadër edhe të rritjes së performancës, të rritjes së aktivitetit. Eshtë e rëndësishme që spitali të ketë atë zhdërvjelltësinë për t'iu përshtatur momentit, situatave, për t'iu përshtatur zhvillimit të teknologjisë dhe dijes së mjekëve. Pra, pika kyçe e autonomisë menaxheriale është organizimi më i zhdërvjellët",- nënvizoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu bëri me dije se edhe QSUT, Spitali Rajonal Durrës dhe Shkodër, në bashkëpunim me ekipe nga Turqia kanë filluar procedurat për Autonominë Spitalore.
"Në tri spitale të tjera të vendit, ekipe nga Turqia janë vendosur në QSUT, në Spitalin e Durrësit dhe në Spitalin e Shkodrës, ku janë atashuar personel administrativ, menaxherial dhe mjekësor. Ashtu sikurse ka ecur Memoriali, të ecin edhe spitalet e tjera në parapërgatitje për të përfituar Kartën e Autonomisë Menaxheriale dhe më pas për të vijuar me Autonominë Financiare, që do t’i hapë rrugën edhe të gjithë buxhetimit në bazë të aktivitetit spitalor",- tha Manastirliu.
Duke e konsideruar një rritje historike rritjen e pagave për mjekët specialistë, nga Spitali Memorial, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se do të vijojë rritja e pagave të targetuara edhe për kategori të tjera të personelit shëndetësor.
"Duke filluar nga muaji prill paga për mjekët specialistë do të rritet me 50 mijë lekë të rinj. Një rritje historike për mjekët specialistë, për t'i mbështetur dhe motivuar. Nga ana tjetër dua të them se pavarësisht se rritja e pagave të targetuara u fokusua te mjekët specialistë si një mbështetje e metejshme, të mos harrojmë që premtimin do ta mbajmë edhe sa i përket rritjes së pagave që tashmë është vendosur në kalendarin e viteve si një rritje progresive me 7% për personelin infermieror dhe mjekë të përgjithshëm dhe duke filluar nga vitin 2024 do të ketë rritje të targetuara, ashtu sikurse për mjekët specialistë, edhe për kategori të tjera të shëndetësisë, përfshirë mjekë të përgjithshëm dhe infermierë",- tha Manastirliu.
Spitali Memorial Fier është spitali i parë publik që përfiton Kartën e Autonomisë Menaxheriale me afat dyvjeçar pas përmbushjes së të gjitha kritereve të përcaktuara në Rregulloren e Autonomisë Spitalore.
Në shkurt të këtij viti u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave Rregullorja e Autonomisë Spitalore që u hap rrugën të gjithë spitaleve publike për të aplikuar fillimisht për autonomi menaxheriale pas përmbushjes së kritereve të përcaktuara.
Autonomia spitalore u jep mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjorë dhe rregullatorë: për t’u vetadministruar për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare; për rritjen e konkurrueshmërisë ndërmjet spitaleve publike ndërmjet njëri-tjetrit, por dhe me spitalet jopublike, për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët; mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore dhe rritjes së instrumenteve dhe mekanizmave për punësimin e mjekëve specialistë në sektorin publik, si dhe rritjes së gamës së shërbimeve në spitalet publike, duke i dhënë fund epokës së centralizimit të shërbimeve shëndetësore publike të nivelit terciar vetëm në spitalet universitare.