Liderët e NATO-s do të takohen në Vilnius më 11 dhe 12 korrik për të diskutuar një sërë çështjesh, duke nisur nga ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe planet e mbrojtjes.

 

Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid.

 

Masat e sigurisë në Vilnius do të jenë të larta, përderisa do të dislokohen tri njësi gjermane të mbrojtjes ajrore, Patriot, për të ofruar siguri gjatë mbajtjes së samitit. Edhe avionë të tjerë luftarakë do të patrullojnë në qiellin e Lituanisë, shtet që gjendet midis enklavës ruse të Kaliningradit e Bjellorusisë dhe që një kohë të gjatë shihet si një pikë e brishtë në krahun lindor të NATO-s.

 

Një ndër çështjet kryesore është diskutimi për mundësitë e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancë.

 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka bërë të qartë se Kievi nuk do të bëhet anëtar për aq kohë sa lufta vazhdon dhe se në samitin në Vilnius, po ashtu, nuk do të ketë ftesë zyrtare për Ukrainën.

 

Forcimi i krahut lindor të NATO-s

 

Liderët do të shqyrtojnë planet e para të mbrojtjes që aleanca ka hartuar që nga Lufta e Ftohtë, që japin detaje se si NATO-ja do t’i përgjigjej një sulmi rus.

 

Suedia është një tjetër cështjhe diskutimi.NATO-ja po synon që Suedia të bëhet anëtarja e saj e 32-të gjatë samitit në Vilnius, por Turqia ende po e bllokon pranimin e Stokholmit.

 

Shpenzimet për NATO-n

 

Stoltenberg synon që objektivi aktual për shpenzime ushtarake të NATO-s prej 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor(BPV), të jetë si kërkesë minimale për shpenzime dhe jo si synim.