Aksi Orikum – Dukat, me gjatësi rreth 15 km, është tashmë i hapur për të gjithë drejtuesit e mjeteve.

 

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky aks i përfunduar.

 

“Një rrugë e shumëpritur, e cila do të ofrojë siguri e mbi të gjitha dhe shkurtim të ndjeshëm të trajektores nga Vlora për në jugun e Shqipërisë”, theksoi Rama.

 

Rruga e ndërtuar sipas standardeve më të mira, rrit sigurinë e lëvizjes dhe lehtëson qarkullimin, pasi ky aks shmang kalim në rrugën që kalon në shpatin e malit të Dukatit.

 

Ky aks rrugor është i kategorisë C dhe i jep zgjidhje problematikave që lidhen me sigurinë rrugore dhe rrëshqitjet, të cilat prej vitesh në aksin aktual kanë qenë një shqetësim për përdoruesit e rrugës.

 

Projekti i rrugës përfshin edhe ndërtimin e 5 urave dhe një tuneli panoramik.

 

Aksi Orikum-Dukat është një tjetër segment i rëndësishëm, i cili lidh bajpasin e Vlorës me tunelin e Llogorasë dhe është pjesë e paketës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e turizmit.