Jashar Maja, një prej personave që u dhunua brutalisht nga fisi Rraja, është shprehur se pas ngjarjes policia nuk i ka marrë asnjë deklarim, por shikonin njërin-tjetrin në sy pasi nuk dinin çfarë të bënin.

 

Ai paralajmëroi për vetëgjyqësi ndërsa tha se duhet të mbrojë veten dhe fëmijët e tij.

 

Dhuna ndaj kushërinjve Manja nga fisi Rraja erdhi për shkak se Manjat u ankuan se gurorja që është në pronësi të Përparim Rrajës, vëllait të deputetit socialist, Rrahman Rraja, po iu dëmtonte banesat.

 

Gazetari: Prej sa kohësh keni pasur probleme dhe shqetësime prej shpërthimeve të gurores?

 

Jashar Maja: Ka 4-5 muaj ky muhabet. Kemi bërë ankime, kemi bërë çdo gjë në qeveri dhe polici. Asnjë rrugëzgjidhjeje nuk na është dhënë.

 

Gazetari: Sa larg është gurorja nga fshati Borizanë që është dhe shtëpia juaj?

 

Jashar Maja: Me shtëpinë time është rreth 2, 300 metra. Me Borizanën mund të bëhet 1 kilometër. Kaq distancë ka. Janë edhe shtëpitë po në jug. Janë ca gurore që i kanë 50-60 metra shtëpiat. Unë mesa di, mesa kam njohur, që nuk lejohen kaq afër shtëpitë. Këtu nuk ka shtet. Me reagu shteti, këtu kishte reaguar policia. Shteti nuk është interesuar fare, a jam i gjallë, a jam i vdekur.

 

Gazetari: Çfarë ndodhi kur shkuat në komisariat, para se të shkonit në spital për të marrë ndihmën mjekësore? Ju morën në pyetje, dhatë deklarime?

 

Jashar Maja: Asnjë lloj pyetje, asnjë lloj deklarimi. Nuk mund të shkruante askush prej atyre. Rrinte policia grup. Shikonin njëri-tjetrin në sy që ça duhet të bëjmë. Erdhi fisi im, njerëzit e mi, i thamë zotëri na pri para me një makinë policie vetëm për të hapur rrugën se i dërgojmë vetë në spital, nuk kemi nevojë për shtet. Se nuk ka shtet. Jo se nuk kemi nevojë për shtet se shtetin e duam, kush është ai që nuk do ligj e shtet, por nuk ka. Na ka ardhur makina e policisë, kemi ecur me shoqërim, kemi shkuar në spital.

 

Gazetari: Thatë që ju janë dëmtuar shtëpitë, keni pasur dëmtime nga tërmeti apo vetëm nga shpërthimet?

 

Jashar Maja: Shtëpinë kam fakte se akoma nuk kam kryer punimet 100%. Kam hyrë në shtëpi pas tërmetit. Shtëpitë janë plasaritur komplet. Të hysh brenda janë shumë të dëmtuara. Kam marrë inxhiner privat dhe më ka thënë që është e pabanueshme.

 

Gazetari: Jeni marrë më pas në pyetje nga policia?

 

Jashar Maja: Nuk më ka pyetur kush se ku jam, ku jetoj. A marr frymë, a s’marr frymë, a jam i gjallë, a s’jam i gjallë. Se ligjërisht duhet të ishte policia e shtetit. Mesa di unë. Policia duhet të jetë non stop këtu. As telefonatë, as shefi i zonës, nga asnjë. Se janë të dobët para atyre. Tani më ka ngelur mua me u marrë me ata. Do të merrem. Sigurisht që do të merrem, sapo të ndihem mirë, të rregulloj punët e mia. Edhe të më gjejë shteti mua mbrapa se unë nuk kam shtet. Me pas shtet, të mbron shteti. Ai është me imunitet, do të mbroj veten se nuk kam ku shkoj. Do të mbroj fëmijët e mi.