Kadastra e Vlorës është një fuçi baruti për këdo individ që merr përsipër ta drejtojë. Erdet Mandi, ishte i fundmi i 13 drejtuesve të 5 viteve të fundit që qëndroi në detyrë për 5 muaj. Ai u shkarkua me urdhër nga Kadastra e Tiranës, pasi u kallëzua për shpërdorim detyre.
Por nëse, Mandi është shkarkuar me këtë motivacion, shumica e parardhësve të tij kanë dhënë dorëheqjen.
Në zyrat e Agjencisë Rajonale të Kadastrës së qytetit bregdetar, tre drejtorë u larguan brenda një muaji në vitin 2019, për shkak se nuk arritën të zbatojnë një vendim të Gjykatës së Lartë, për një pronë në bregdet.
I pari që dha dorëheqjen në 9 shtator ishte Florian Almadhi, i cili u zëvendësua nga Alteo Nazeraj. Ky i fundit nuk qëndroi as 10 ditë në detyrë dhe deklaroi gjithashtu dorëheqjen.
Në vend të tij u emërua Elona Hodaj, e cila bëri të njëjtin veprim në 9 tetor. Edhe një vit më pas, Kadastra ndërroi 7 drejtorë, nga Taulant Canameti deri tek Andi Binaj.
Por, teksa përflitet për emrin e radhës që do të vendoset, aty vlen të kujtojmë një porosi të kryeministrit, drejtuar Drejtores së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dallëndyshe Bici.
“Detyra e drejtores së re është që të çojë aty ku e kanë vendin ata që kanë luajtur bishtin e institucionit për interesat e tyre!”.