Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që t’i japin fund "hipokrizisë" së tyre dhe të ndërmarrin hapa aktive për të ndaluar "spastrimin etnik" të Izraelit ndaj palestinezëve në Gaza.
Duke folur për Anadolu gjatë vizitës së tij në Gjermani, Ibrahim tha se me presidentin Frank-Walter Steinmeier dhe kancelarin Olaf Scholz kishte bisedime konstruktive për lidhjet dypalëshe dhe çështjet ndërkombëtare.
"Kemi pasur diskutime të mira. I falënderoj ata për thirrjen për armëpushim dhe ndihmën humanitare", tha Ibrahim, duke theksuar se shumë vende presin që fuqitë perëndimore të ndërmarrin hapa më aktive për t’i dhënë fund mizorive në Gaza.
"E kam bërë shumë të qartë, ndaloni hipokrizinë e Perëndimit. Sepse problemet nuk janë 7 tetori. Problemi është i gjithë trajtimi, kolonializmi, aparteidi dhe spastrimi etnik në Gaza, që duhet të ndalet tani. Dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa tani për të zgjidhur problemin. Ata nuk mund të dështojnë në detyrën e tyre morale", tha presidenti malajzian.
Ibrahim ka qenë një nga udhëheqësit më të sinqertë që ka dënuar fuqitë perëndimore për mbështetjen e tyre ushtarake për Izraelin dhe për heshtjen e tyre për krimet që po kryhen nga ushtria izraelite në Gaza.
Presidenti malajzian vazhdimisht ka deklaruar se vendet perëndimore ishin "selektiv" dhe "jo-konsistent" në lidhje me zbatimin e ligjit ndërkombëtar dhe i akuzoi për "hipokrizi" duke theksuar se ata po dënojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, por nuk po marrin asnjë veprim për të ndaluar mizoritë e Izraelit në Gaza.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi, ku sipas Tel Avivit, u vranë rreth 1.200 njerëz.
Mbi 31 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe mbi 72.600 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Ushtria izraelite vendosi një bllokadë në enklavën palestineze, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e saj, veçanërisht banorët e Gazës veriore.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të garantojë që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza./aa