Ushtria izraelite vrau një palestinez pasi bastisi shtëpinë e tij në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në deklaratën e përbashkët të Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë dhe Delegacionit të të Burgosurve dhe të Liruarve të lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës, thuhet se forcat izraelite bastisën shtëpinë e 39-vjeçarit Muhammad Adil al-Shalabi në qytetin e Jeninit.

Al-Shalabi kishte kaluar vite më parë në burgjet izraelite. "Forcat izraelite ekzekutuan ish të arrestuarin Shalabi, shtëpinë e të cilit e bastisën në vendbanimin Al-Sayla al-Harisiya afër Jeninit. Forcat izraelite e ndaluan Shalabin nga shtëpia e tij, hapën zjarr dhe më vonë njoftuan për vdekjen e tij", thuhet në deklaratë.

Shalabi ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë ndërsa forcat izraelite ende nuk e kanë dorëzuar trupin e tij.

Thuhet se Izraeli ka shumë vite që vret palestinezët duke i vënë në shënjestër direkt ata dhe se krimet e saj në këtë drejtim janë shtuar në 2 vitet e fundit dhe "kanë arritur kulmin" pas 7 tetorit 2023.

Numri i palestinezëve të arrestuar në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga 7 tetori, kur Izraeli nisi sulmet e dhunshme në Gaza, u rrit në 7.490.

Që nga 7 tetori 2023, kur ushtria izraelite nisi sulmet në Rripin e Gazës, ka pasur rritje të ndalimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor./aa