Taulant Balla pritet të marrë sot miratimin e presidentit të republikës si ministri i ri i Brendshëm i Shqipërisë, duke zëvendësuar në këtë post Bledi Çuçin.

 

Taulant Balla është i pesti në radhë, i cili do të mbajë këtë post në qeverinë e Edi Ramës që prej 2013.

 

Në mandatin e parë Kryeministri Rama i besoi Sajmir Tahirin në këtë detyrë, një dikaster që u drejtua nga ai deri në 2017. Për shkak të akuzave të drejtësisë për përfshirjen e tij në organizatat kriminale, Tahiri dha dorëheqjen në mars të 2017. 5 vite pas këtij akti politik njeriu i besuar i Edi Ramës u prangos për të vuajtur dënimin vetëm për shpërdorim detyre. Aktualisht ai po vuan në shtëpi pjesën e mbetur të dënimit, ndërsa SPAK ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkon që Saimir Tahiri  të dënohet me 12 vite burg për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, për grup kriminal dhe trafik të lëndëve narkotike.

 

Pavarësisht dorëheqjes, Tahiri është ministri i Brendshëm më jetëgjatë në demokraci.

 

Pas tij  në krye të Ministrisë së Brendshme, Rama emëroi, Fatmir Xhafajn. Socialisti u kthye në një target sulmesh nga opozita për shkak të akuzave për përfshirjen e vëllait të tij në aktivitete të paligjshme, deri  në tetor të 2018 ku kryeministri njoftoj dorëheqjen e tij.

 

Pas Fatmir Xhafaj, Rama vendos t’i besojë një ushtaraku postin e ministrit të Brendshëm duke hequr dore nga figurat politike. Sandër Lleshajt, një gjeneral i ushtrisë, iu besua posti i ministrit të Brendshëm. Sander Lleshaj mbahet mend për sjelljen agresive ndaj opozitës dhe protestave në vend duke përdorur si asnjëherë më parë sasi të mëdha gazi lotsjellës. Por vrasjen e të riut Klodian Rasha nga policia dhe protestat që shoqëruan atë bënë qe kryeministri te largonte nga detyra pas dy vitesh Sander Lleshajn dhe ne vend të tij të emëronte Bledi Çuçin. Bledi Çuçi e mbajti këtë detyrë vetëm për 2 vite e gjysmë. Vendimin Rama e mori një ditë pas ngjarjes së Krujës, ku anëtarët e fisit Rrahja dhunuan barbarisht dy pjesëtarët e familjes Maja.

 

Ministri i pestë në qeverinë Rama do të jetë Taulant Balla, që aktualisht mban detyrën e kreut të grupit socialist si dhe drejtimin politik të qarkut të Fierit.

 

Balla ka hyrë në politikë në 2005 si deputet i PS. Më herët Balla ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Fatos Nano, ndërsa është herë e parë që do të mbajë një post ministror.