Ashtu si ndodhi në Kosovë, edhe në Maqedoninë e Veriut, opozita njoftoi se ka vendosur të ndërpresë të gjitha kontaktet me qeverinë e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe të fokusohet te kërkesa e vetmë që është ajo e mbajtjes së zgjedhjeve të reja të parakohshme.

 

Kreu i VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski shprehet se organet drejtuese të partisë ranë dakord që nuk do të ketë asnjë diskutim me qeverinë për ndryshimet kushtetuese dhe tema të tjera, por vetëm për zgjedhje të reja në vjeshtë.

 

“Nuk do të kemi asnjë komunikim me qeverinë. Këtë javë kemi pasur një seancë të Komitetit Ekzekutiv të partisë dhe kemi marrë vendim unanim që si VMRO-DPMNE t’i ndërpresim të gjitha komunikimet zyrtare në nivel bilateral me përfaqësues nga qeveria. Ka vetëm një gjë, ajo është të ulemi dhe të pajtohemi për zgjedhjet, kur do të mbahen zgjedhjet, si do të zhvillohen zgjedhjet, në çfarë mënyre – me një qeveri teknike, pa një qeveri teknike, pra do të flasim vetëm për atë që është e lidhur me zgjedhjet”, deklaroi Mickoski.

 

Vendimi i VMRO DPMNE-së vjen në një kohë kur partitë në pushtet po kërkojnë mbështetjen e opozitës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të domodoshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

 

Pas këtij vendimi reagoi dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, i cili tha se opozita tregoi fare qartë se nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç marrjes së pushtetit.

 

“Pres të punojmë me këtë parti deri në ditën e fundit. Por nëse kjo nuk jep fryte, duhet të punojmë paralelisht me deputetët që nuk duan të mbeten peng i ambicieve dhe duan të mbështesin perspektivën evropiane të shtetit ”, tha Osmani.

 

Kryeministri Kovaçevski hodhi poshtë kërkesën e opozitës për zgjedhje duke bërë me dije se ato do të mbahen sipas të gjitha parashikimeve në vitin 2024.