Në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, u mblodh ditën e sotme Komisioni për Politikën e Jashtme.

 

Komisioni shqyrtoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, lidhur me një hua koncesionale për programin “Përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipërinë Veriore pas tërmetit të vitit 2019”.

 

Të ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishin zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja dhe Rudina Banushi, Drejtore e Programeve të Zhvillimit në Fushën e Energjisë dhe Eficencën e Energjisë.

 

Bejtja gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve të Komisionit u shpreh se investimi synon jo vetëm rehabilitimin e difekteve të ndodhura por edhe rinovimin e rrjetit në këtë zonë në nivelin e tensionit të lartë, të ulët dhe të mesëm.

 

“Projekti përmirëson cilësinë e furnizimit dhe sigurinë e furnizimit”, u shpreh Bejtja.

 

Relatori i çështjes, Etjen Xhafaj, u shpreh se, në rakordim të plotë të detajeve teknike të huasë koncesionale janë marrë hapat për t’u vijuar dhe tanimë ka ardhur e paraqitur në parlament. “Zbatuesi do të jetë OSHEE-ja, dhe mund të ketë mbikëqyrje të dyanshme si nga pala shqiptare edhe nga ajo italiane. Do të ftoja të gjithë kolegët për ta votuar.”-u shpreh Xhafaj.

 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë./ATSH