Sëmundja e kolerës është rikthyer pas 50 vitesh në Sardenjë.
Sipas mediave italiane, një 71-vjeçar nga provinca Arbus është shtruar në departamentin e sëmundjeve infektive të spitalit Santissima Trinità në Cagliari i infektuar nga kolera. Gjendja e tij është stabile dhe po përmirësohet. Pacienti, i cili vuan nga sëmundjet e zemrës, ndodhet në spital prej pesë ditësh.
Profesori Marco Falcone, sekretar i përgjithshëm i SIMIT (Shoqëria Italiane e Sëmundjeve Infektive dhe Tropikale) sqaron se bakteri Bakteri Vibrio cholerae, i cili është përgjegjës për kolerën, kontraktohet nëpërmjet rrugës fekalo-orale: duke gëlltitur ushqim ose ujë të kontaminuar.
Mediat e huaja informojnë se Italia, përveç episodeve sporadike, nuk konsiderohet një vend në rrezik krahasuar me të tjerët ku përhapja e kësaj sëmundjeje konsiderohet pothuajse endemike.
Ekspertët janë shprehur se ka shumë të ngjarë që ky infeksion të ketë ardhur nga ushqimet e detit dhe dyshohet se i moshuari i ka konsumuar të gjalla. Aktualisht i moshuari ndodhet në izolim dhe tashmë ka nisur aktiviteti gjurmues për zbulimin e çdo rasti ngjitjeje tek personat që jetojnë me pacientin.
Transmetimi i koleres ndodh me kontakt direkt ose indirekt, me ushqim të kontaminuar dhe në rastet më të rënda mund të çojë në fenomene të rrezikshme dehidrimi. Simptomat përfshijnë diarre dhe të vjella. Kategoritë që duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje janë të porsalindurit dhe të moshuarit.