Falë operacionit policor “Rrjeti” për goditjen e një grupi që ushtronte veprimtari kriminale të prodhimit, shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike ka rënë në pranga një tjetër shtetas.

 

Uniformat blu bëjnë me dije se kanë vënë në pranga shtetasin H. K., 36 vjeç i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, për të cilin Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

Sipas informacioneve zyrtare, ka shkuar në 51 numri i shtetasve të vënë në pranga për këtë operacion.

 

Ndërkohë policia njofton se vazhdojnë kërkimet për 6 shtetas të akuzuar si bashkëpunëtorë në veprimtaritë kriminale të lartpërmendura.

 

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Rrjeti”, kanë organizuar punën për kapjen e tij.

 

Si rezultat, në lagjen “5 Maji”, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit H. K., 36 vjeç, për të cilin Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

Operacioni policor i koduar “Rrjeti”, i finalizuar më datë 29.06.2023, u shtri në Elbasan, Cërrrik, Peqin, Belsh, Librazhd, Përrenjas dhe Pogradec. Gjatë këtij operacioni u angazhuan 490 punonjës policie dhe 5 dronë, si dhe u kontrolluan 52 banesa dhe 18 lokale.

 

Gjatë kontrolleve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni, fara kanabisi, një armë zjarri model 56, sasi municoni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, silenciatorë, armë të ftohta, një shumë të madhe parash prej 51 milionë lekësh, 15 mijë euro, si dhe një shumë frangash zviceriane.

 

Vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim”, tha policia.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.