Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Spanjë, ku është gjetur trupi i një fëmije “pa kokë” në një plazh të Kostës.

 

Mbetjet e të miturit, që mendohet të jetë nga mosha dy deri në tre vjeç, u zbuluan në rërë herët në mëngjesin e së martës në një plazh në Costa Dorada të Roda de Bera në provincën e bregdetit lindor të Tarragona.

 

Trupi i fëmijës është gjetur nga një pastrues i cili menjëherë ka lajmëruar shefat e tij të cilët njoftuan policinë. Përveç kokës thuhet se fëmijës i mungonin edhe pjesë të tjera të trupit.

 

Kryebashkiaku i Roda de Bera, Pere Virgili, në një deklaratë për media ka thënë se i mituri mund të ketë qenë në një varkë emigrantësh që u përmbys në Mesdhe.

 

Bashkia njoftoi për ngjarjen e ndodhur përmes një postimi në Twitter:

 

“Ju informojmë se mëngjesin e sotëm u gjet trupi i një fëmije dy deri në tre vjeç në bregdetin e plazhit Costa Dorada. Zona është e rrethuar dhe zyrtarët presin që gjyqtari të autorizojë largimin e trupit. I kërkojmë publikut të shmangë zonën.”

 

Ndërkohë Garda Civile, e cila po heton ngjarjen nuk ka bërë ende asnjë koment zyrtar.