Zyrtari i Listës Serbe dhe ish-ministër në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijevic, është liruar nga të gjitha akuzat e ngritura kundër tij ku mohonte masakrën e Reçakut, me vendim të Gjykatës Supreme në Prishtinë, kështu ka konfirmuar për Kosova Online avokati i tij Nebojsha Vlajiç.

 

“Gjykata Supreme mori një vendim dhe e liroi Ivan Todosijevicin nga të gjitha akuzat dhe ai vendim është përfundimtar, nuk ka më asnjë të drejtë ankese dhe nuk do të ketë gjykim të mëtejshëm, ai është një njeri i lirë”, tha Vlajiç.

Ai gjithashtu shtoi se ajo për të cilin Ivan akuzohej nuk ishte vepër penale, për arsye se ai vetëm ushtronte lirinë e fjalës dhe mendimit. Gjithashtu ai shtoi se askush nuk ka të drejtë të gjykojë mendimin e tjetrit nëse është i saktë ose jo.

 

“Gjykata më në fund pranoi atë që ne pretenduam që në fillim, se ajo për të cilën akuzohej Todosijevic nuk është vepër penale, por ai ushtron lirinë e fjalës, mendimit dhe shprehjes dhe se ne kemi të drejtë të kemi një mendim për ngjarjet nga e kaluara dhe se askush nuk ka të drejtë të gjykojë nëse mendimi ynë është i saktë, i vërtetë apo jo”, ka shtuar Vlajiq.

 

Ivan Todosijevic u dënua në Prishtinë në shkallë të parë në fund të vitit 2019 me dy vite burg për një deklaratë që ai bëri gjatë një përkujtimoreje për shënimin e 20 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Ceremonia u mbajt në Zveçan dhe ai tha në atë kohë se rasti i Reçakut ishte një mashtrim i përdorur si justifikim për të filluar sulmet.

 

Vendimi i shkallës së parë më vonë u konfirmua nga Gjykata e Apelit në Prishtinë. Avokatët e Todosijevic më pas apeluan në Gjykatën e Lartë.