Në Samitin e NATOS është zhvilluar një takim mes Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, të cilët ndajnë të njëjtin mendim se garancitë e sigurisë të premtuara nga G7 për Ukrainën janë "të rëndësishme", por ato "nuk mund të zëvendësojnë" pranimin e Kievit në NATO. 

 

Ata diskutuan për "përparimin e kundërofensivës" kundër forcave ruse dhe për "paketën e re" të ndihmës ushtarake të shpallur nga Londra.

 

Ndërsa përsa i përket garancive të G7, të dy liderët i përmendën ato si një pikënisje mbi të cilën do të "ndërtohej" diçka tjetër "sa më shpejt të jetë e mundur".

 

Rishi Sunak deklaroi se ai është plotësisht dakord për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, dhe se ka punuar shumë me shtetet e tjera për të ofruar një marrëveshje shumëpalëshe të mbrojtjes dhe ekonomike jashtë NATO-s për Ukrainën për t'i dhënë asaj mbështetje afatgjatë kundër agresionit aktual dhe të ardhshëm rus.

 

Të gjithë anëtarët e G7, të përbërë nga Britania e Madhe, SHBA, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Kanadaja, kanë vendosur të nënshkruajnë paktin me Ukrainën, për të cilën kryeministri ka thënë se ka potencialin për të 'rikthyer paqen në Evropë' .