Nënkryetarja e parlamentit Ermonela Felaj ka reaguar pas debatit dhe ofendimeve me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi.
Gjatë fjalës së saj, Felaj tha se nuk tërhiqej nga qëndrimet e saj dhe cilësimet për deputetët.
Nënkryetarja bëri me dije se po replikonte vetëm për ata që guxojnë të përdorin pozicionin e deputetit për të nxjerrë frustrimin e tyre gjithë kohës.
“Do e marr fjalën për replikë. Si replikë me të gjithë ata që guxojnë të përdorin pozicionin e deputetit për të nxjerrë frustrimin e tyre gjatë gjithë kohës. Jam Ermonela Felaj dhe askush në këtë sallë s’më bën dot moral as për fjalët dhe qëndrimet e mia. Janë të shprehur e zeza në të bardhë”, tha Felaj.
Ndërkohë, për komentin e bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha që tha se Felaj shthuri gojën ndaj deputetit Bardhi dhe se për këtë fakt duhet të dilte jashtë, ajo u shpreh duke thënë se “parafolësi njihet për gënjeshtrat e tij”.
“Parafolësi i ka bërë jehonë, njihet për gënjeshtra dhe për kopjen. Kaq, kaq për ditën e sotme. Ata kolegë që gënjejnë dhe shpikin, s’më vjen keq, por i meritojnë një për një ato cilësime që i shpreha pak më parë”, tha ajo.