Radio-Televizioni Shqiptar (RTSH) dhe Autoriteti mbi Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi për projekte të përbashkëta, me fokus mbajtjen gjallë të kujtesës kolektive.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza, dhe nga kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula.

Bashkëpunimi midis dy institucioneve, parashikon programeve të përbashkëta për të bërë të mundur shfrytëzimin e arkivave të RTSH-së dhe TVSH-së dhe dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën ’44-’91, mbi data dhe ngjarje historike me interes për Autoritetin.

Vend të rëndësishëm do të zërë edhe promovimi i vlerave historike dhe shkelja e të drejtave të njeriut në diktaturë; mediatizimi i aktiviteteve përkujtimore apo edukative të AIDSSH-së si: “Dosja e hapur”, “Gjyqet e inskenuara”; krijimi i hapësirave televizive për programe të përbashkëta në funksion të Platformës: “Të mësojmë mbi të shkuarën – burime arsimore të hapura,1944-1991”, në kanalin “RTSH Shkolla”, në formatet si: podcast, video të shkurtra, etj.; realizimin e programeve radiofonike për profile biografike të shquara, të cilët janë bërë të njohura kohët e fundit; bashkëpunimin në krijimin e dokumentarëve me fokus fëmijët dhe të rinjtë, duke filluar me dokumentarin “50-vite nga Revolta e Spaçit”; risjelljen e programit të fëmijëve “TROÇ”, duke u fokusuar mbi kujtesën demokratike si dhe bashkëpunimin mbi përzgjedhjen dhe trajtimin e dokumentacionit arkivor të Ish-Sigurimit të Shtetit rreth figurave historike/kundërthëniet e familjareve, në programet televizive të RTSH-së: “Dritëhijet”, dhe “Dosje të hapura”.

RTSH është partneri ri që shtohet numrit në rritje të institucioneve vendase dhe të huaja me të cilat AIDSSH bashkëpunon që nga krijimi i saj. Kjo marrëveshje vjen edhe në funksion të zhvillimit të platformës digjitale që AIDSSH po realizon në partneritet me Ministrinë e Arsimir. AIDSSH në funksion të kësaj platforme ka lidhur marrëveshje dhe me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe synon partneritet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ISKK, Akademinë e Shkencave, me qëllim sigurimin e burimeve autentike dhe tekste të kaluara në filtrin shkencor në shërbim të mësuesve të arsimin parauniversitar./ata