Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se anëtarësimi i Suedisë në NATO është në diskrecionin e parlamentit turk, duke shtuar se ligjvënësit turk do të marrin vendimin e duhur në përputhje me interesat e Ankarasë.
"Autoriteti për të miratuar protokollet e pranimit të Suedisë është Asambleja e Madhe Kombëtare Turke. Tani ka një proces që po zhvillohet. Parlamenti ynë do të ndjekë hapat e ndërmarra dhe do të marrë vendimin e duhur në përputhje me interesat e vendit", u tha Erdoğan gazetarëve në avionin presidencial që kthehej nga samiti dyditor i NATO-s në Lituani.
Të hënën, para Samitit të NATO-s, presidenti Erdoğan ra dakord t'ia përcjellë parlamentit turk aplikimin e Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n pas një takimi trepalësh në kryeqytetin lituanez Vilnius me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministrin suedez, Ulf Kristersson.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Megjithëse, Türkiye miratoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, ajo pret që Suedia të përmbushë angazhimet e saj për të mos u dhënë strehë terroristëve dhe mbështetësve të terroristëve.
"Përsëri, si rezultat i përpjekjeve tona, vendimi për emërimin e një koordinatori special për luftimin e terrorizmit u njoftua për herë të parë në historinë e aleancës. Anëtarësimi i Suedisë në NATO ishte një nga çështjet e theksuara në kontekstin e samitit. Qëndrimi ynë parimor për këtë çështje ka qenë i qartë që në fillim. Ne vazhduam politikën tonë edhe këtu", tha Erdoğan.
Duke folur për procesin e anëtarësimit të Türkiye-s në Bashkimin Evropian (BE), Erdoğan tha se "ka pikëpamje pozitive për rigjallërimin e procesit" të anëtarësimit të vendit në bllokun evropian.
"Ne do të përshpejtojmë negociatat për përditësimin e Unionit Doganor, që do të ketë një efekt shumëfishues në ekonominë turke. Besoj se do të bëjmë përparim edhe në liberalizimin e vizave", tha presidenti Erdoğan.
Türkiye aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987, ndërsa statusin e vendit kandidat e fitoi në vitin 1999. Negociatat për anëtarësimin e plotë filluan në tetor të vitit 2005, por në vitet e fundit kanë ngecur për shkak të pengesave politike të paraqitura nga disa vende.
Erdoğan njoftoi se kryekëshilltari i tij, Akif Çağatay Kılıç, udhëtoi në Bruksel për të diskutuar këto çështje. "Ai do të diskutojë si për Unionin Doganor ashtu edhe për çështjet e liberalizimit të vizave. Besoj se këto do të jenë në favor të Türkiye-s", u shpreh ai.
Presidenti turk theksoi se vendi i tij gjithmonë i mban premtimet, duke shtuar se Ankaraja dëshiron që së shpejti të shohë "rezultatet e qarta" të bisedimeve me BE-në, të marra në baza të parimit "fito-fito" (win-win) në favor për të gjithë./AA