Ditën e Sotme Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në një seancë të posaçme parlamentare, ku pritet të miratohet kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Pas orësh debate e tension në seancën e djeshme, u ra dakord që kërkesa e SPAK të diskutohej ditën e sotme në orën 10:00, ndonëse ishte parashikuar për të hënën.

 

Me miratimin e kërkesës së SPAK, Arben Ahmetajt i hiqet përfundimisht imuniteti si deputet dhe i hapet rrugë arrestimit, ndonëse deri më tani ende nuk dihet se ku ndodhet ish-kryeministri, i cili është larguar nga Shqipëria.

 

Në një reagim të parë, në një mesazh për një emision televiziv, Ahmetaj ka mohuar çdo akuzë që është ngritur ndaj tij duke thënë se do të flasë vetëm kur të gjithë të kuptojnë se s’ka asnjë lidhje me procedurën.

 

E madje, ai ka thënë se do të dalë kur e vërteta të marrë rrugë.

 

Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.