Deputeti i PD-së Gazement Bardhi ka falënderuar kolegët e tij demokratë për punën e bërë në Komisionin Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, ku u morën në pyetje kryeministri Edi Rama, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj si dhe ish-ministri Damian Gjiknuri.

 

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, duke i falënderuar emër për emër deputetët demokratë të komisionit hetimor, Bardhi i kërkoi mazhorancës që ti kërkojnë ndjesë kolegëve të tyre pasi me punën e tyre edhe pse të intimiduar, shantazhuar dhe të fyer herë pas here, i shkuan deri në fund zbulimit të së vërtetës.

 

Bardhi: Partia Demokratike e ka denoncuar këtë aferë duke nisur që nga viti 2018. Por kryeministri, ministrat dhe kolegët deputetë të mazhorancës, jo vetëm nuk na dëgjuan, por filluan të na tallnin, sulmonin, tentonin të intimidonin cilindo që përmendte aferën e inceneratorëve.

 

Ne këmbëngulëm nëpërmjet ngritjes së një komisioni hetimor në këtë parlament dhe sot është dita që ky krahu këtej i seancës ti kërkojnë ndjesë secilit prej kolegëve tanë në atë komision hetimor, që me punën e tyre edhe pse të intimiduar, shantazhuar dhe të fyer herë pas here, i shkuan deri në fund zbulimit të së vërtetës.

 

Dua ta filloj fjalën time me një falënderim fillimisht për kryetaren e Komisionit Hetimor zonjën Tabaku, anëtarët, zonjën Çupi, zotin Bushati, zotin Gështenja, zotin Belind Këlliçi, zonjën Ina Zhupa zotin Luçiano Boçi dhe zotin Edmond Spaho.

 

Secili prej tyre me punën e bërë në komisionin hetimor, ashtu siç thotë dhe dosja e prokurorisë i dhanë informacion të bollshëm SPAK që të vijmë sot te kjo kërkesë ku ish-zv.kryeministri i Ramës, njeriu i tij më i besueshëm i tij, sot rrezikon jo më pak se 15 vite burg.