Drejtuesi Politikë i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Taulant Balla, mëngjesin e të dielës ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga punimet që po zhvillohen në Bashkinë e Roskovecit, për ndërtimin e një pallati 6-të katësh, me qëllim krijimin e disa apartamenteve për banesa sociale.
I shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Deputeti Balla, nënvizon se këto banesa sociale përmes Entit Kombëtar të Banesave do t’u shpërndahen 30 familjeve të kësaj bashkie, ndërsa mes tyre do të ketë dhe punonjës të policisë apo shërbimit zjarrfikës.
“Roskovec Falë mbështetjes së Qeverisë Edi Rama përmes Entit Kombëtar të Banesave, 30 apartamente të reja do tu dorëzohen 30 familjeve të kësaj bashkie. Mes tyre do të ketë edhe familje të punonjësve të policisë dhe të shërbimit zjarrfikës”, shkruan Balla.
Ndërkohë gjatë inspektimit të punimeve, Kryebashkiakja Bufi deklaron se kohëzgjatja e tyre do të jetë 18-muaj. Sipas saj në fokus do të jenë dhe gratë, nënat e divorcuara.
“Sapo ka nisur puna për ndërtimin e godinës 6 katëshe…18 muaj godina do të jetë gati. Hera e parë që në Roskovec do të ketë banesa sociale. Do punojnë sëbashku me Entin Kombëtar të Banesave edhe për godina të tjera si këto. Kategoritë përfituese janë familjet vulnerabël, të cilat nuk strehë, por në fokus do të jenë edhe nënat e divorcuara”, tha ndër të tjera Bufi.
Deputeti Balla i kërkoi kryetares së Bashkisë, që sëbashku me Entin Kombëtar të Banesave të kenë në fokus edhe punonjësit e Policisë dhe zjarrfikësit.
“Shikojmë sa të kemi mundësi që edhe punonjësit e policisë të përfitojnë nga kjo mundësi. Po ashtu punonjësit e shërbimit zjarrfikës apo dhe punonjësit e policisë bashkiake duhet të jenë në fokus”, tha Balla./ATSH